Lazio mbetet jashtë garave evropiane
Lazio ka humbur 1:0 në shtëpi ndaj Lecce, duke përmbyllur një natë katastrofike për kryeqytetasit.
Humbja minimale para shikuesve të vet në mbrëmjen e të dielës ka bërë që Lazio të bie në vendin e shtatë në tabelë me vetëm 65 pikë të tubuara dhe të mbetet jashtë të gjitha garave evropiane për sezonin 2025/26.
Goli i vetëm i ndeshjes ka ardhur nga Lassana Coulibaly pak para pushimit (43′), teksa Lecce, që ka luajtur me dhjetë lojtarë pas përjashtimit të Santiago Pierotti, e ka mbrojtur rezultatin në pjesën e dytë.
Lazio ka rrezikuar disa herë, me Pedro, Rovella dhe Dia që janë ndalur nga pritjet e portierit Falcone dhe nga shtylla.
Frustrimi ka kulmuar në fund të ndeshjes, kur Alessio Romagnoli është ndëshkuar me të kuq për sjellje të pahijshme ndaj gjyqtarit. Kjo disfatë, e kombinuar me fitoren e Fiorentina, ka bërë që Lazio edicionin e radhës të luajë vetëm brenda kufijve të shtetit të Italisë.
Në tabelën e kryesuar nga Napoli, Lecce gjendet në vendin e shtatëmbëdhjetë me 34 pikë. Përmes fitores së sontme kjo skuadër ka garantuar qëndrimin në Serie A për të katërtin sezon radhazi.
