Shqipëria në hartën europiane të identifikimit të kafshëve – UEVP përshëndet marrëveshjen AKVMB–UPMVSH

Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në hartën europiane të identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve të shoqërimit, falë një marrëveshjeje të rëndësishme mes Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) dhe Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar të Shqipërisë (UPMVSH).

Ky zhvillim historik është përshëndetur nga Unioni Europian i Veterinerëve të Praktikës (UEVP), një prej organizatave më të rëndësishme të mjekësisë veterinare në kontinent, me seli në Bruksel. Në deklaratën e saj të datës 23 maj 2025, UEVP thekson se kjo marrëveshje e nënshkruar më 30 prill nga Dr. Ervin Resuli, president i UPMVSH, dhe drejtori i AKVMB, z. Sulejman Kulolli, është një hap madhor drejt përputhjes me standardet europiane.

Marrëveshja përcakton se vetëm veterinerët e licencuar nga Urdhri do të kenë të drejtën ligjore të kryejnë mikroçipimin dhe pasaportimin e qenve dhe maceve. Kjo nismë përforcon sistemin e kontrollit, gjurmueshmërisë dhe sigurisë në trajtimin e kafshëve të shoqërimit, duke garantuar mirëqenie për to dhe mbrojtje për shëndetin publik.

Sistemi i ri do të ndihmojë në kontrollin e sëmundjeve zoonotike të rrezikshme si tërbimi, leishmaniaza, echinokokoza dhe toksoplasmoza, duke e kthyer Shqipërinë në një shembull rajonal për menaxhimin veterinar modern.

UEVP e cilëson këtë si një sinjal të fortë për Bashkimin Europian dhe rajonin, duke theksuar se Shqipëria nuk është më jashtë sistemit, por pjesë aktive e tij. Kjo marrëveshje vjen vetëm pak muaj pas pranimit të UPMVSH si anëtare me të drejta të plota në UEVP, duke i dhënë Shqipërisë një zë të rëndësishëm në politikat dhe standardet veterinare europiane.

“AKVMB–UPMVSH po vendosin themelet e një modeli të mirëfilltë europian. Kjo është rruga drejt besimit, sigurisë dhe profesionalizmit në sektorin veterinar,” përfundon deklarata e UEVP.


Go to TOP