Hasani apelon për ndihmë: Tre këlyshë të braktisur pranë liqenit artificial rrezikojnë jetën

Tre këlyshë të vegjël janë parë të braktisur buzë liqenit artificial, afër stadiumit të vogël. Lajmin e bëri publik profesori Enver Hasani, i cili tregoi se i kishte ushqyer, pasi kishin dukshëm uri dhe etje. Ai dyshon se këlyshët janë pa nënë dhe për këtë arsye rrezikojnë edhe të bien në liqen në përpjekje për të gjetur ujë.

Hasani bëri thirrje publike për kujdes nga qytetarët që kalojnë andej apo nga banorët e lagjes përreth, që të ndihmojnë këlyshët qoftë me ushqim, ujë, apo ndonjë formë strehimi të përkohshëm. Ai gjithashtu kërkoi ndërhyrjen e ndonjë organizate për mbrojtjen e kafshëve që mund të ofrojë mbrojtje dhe kujdes të duhur për ta.

“Edhe një përkujdesje e vogël nga dikush aty afër do të bënte ndryshim,” u shpreh ai në apelin e tij duke theksuar rëndësinë e ndjeshmërisë ndaj kafshëve në nevojë dhe nevojën për një reagim të shpejtë për të parandaluar ndonjë fatkeqësi. /Kosova.info/


Go to TOP