Haradinaj pret ambasadorin e ri italian, kërkon rikthimin e Kosovës në kursin euro-atlantik

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në një takim njohës Ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini.

AAK-ja ka njoftuar se gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, sfidat me të cilat po përballet Kosova, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Kosovës dhe Italisë.

“Haradinaj i uroi ambasadorit Antonini mirëseardhje dhe sukses në detyrën e tij diplomatike, duke e falënderuar për mbështetjen e çmuar dhe të vazhdueshme që Italia i ka dhënë Kosovës në të gjitha etapat e shtetndërtimit dhe të konsolidimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në këtë kontekst, Haradinaj theksoi rëndësinë që Kosova t’i rikthehet kursit të saj euro-atlantik, një proces që duhet të kulmojë me anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian. /Kosova.info/

Go to TOP