Havolli: Nga shteti ligjor në shtet policor – MKRS po vepron me urdhra politikë dhe pa bazë ligjore

Drejtori i Investimeve Kapitale, Sokol Havolli, ka reaguar ashpër ndaj një aksioni të Ministrisë së Kulturës në rrugën “Qamil Hoxha” në Prishtinë, ku, sipas tij, një punishte u bllokua pa asnjë bazë ligjore dhe me urdhra politikë.

Ai e cilësoi këtë veprim si një shembull të shndërrimit të shtetit ligjor në një shtet policor, duke akuzuar inspektorët e MKRS-së për tejkalim të kompetencave dhe veprim të orkestruar politikisht.

“Sot, inspektorët e Ministrisë së Kulturës, me urdhra politikë dhe pa asnjë vendim ligjor, ndaluan punimet në një punishte. Me kënaqësi të dukshme dhe të rrethuar me mbrojtje policore, inspektori zbatonte dëshirën e shefit të tij,” deklaroi Havolli.

Ai theksoi se në prani të policisë i kërkoi inspektorit dokumentacionin zyrtar, përfshirë vendimin e ministrit për mbrojtje të aseteve kulturore dhe regjistrimin e tyre në sistemet përkatëse që përdoren nga institucionet komunale dhe qendrore.

“Përgjigje nuk kishte. Vetëm heshtje dhe akuza politike, sepse ai po zbaton urdhra të atyre që e keqpërdorin policinë për të bllokuar punën në Kryeqytet,” u shpreh Havolli duke e përmbyllur reagimin me fjalët: “E kështu, e kthejnë shtetin ligjor në shtet policor.” /Kosova.info/


Go to TOP