Pjesëtarët e Policisë së Ferizajt dhurojnë gjak në aksionin humanitar
Pjesëtarët e Policisë Rajonale në Ferizaj kanë njoftuar se iu janë bashkuar sot një aksioni humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, duke dëshmuar përkushtimin e tyre ndaj vlerave njerëzore dhe mbështetjes për qytetarët në nevojë.
Në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, dhjetëra zyrtarë policorë dhuruan gjak, në kuadër të fushatës me moton: “Një pikë gjaku e dhuruar nga ju, për dikë do të thotë jetë – e jeta është gjëja më e çmuar që ka njeriu”.
Në njoftimin për media, thuhet se ky aktivitet pasqyron vlerat e larta të humanizmit dhe solidaritetit që Policia e Kosovës kultivon përtej detyrave të përditshme për sigurinë dhe rendin publik.
“Humanizmi dhe sakrifica janë pjesë përbërëse e misionit të Policisë së Kosovës, dhe përmes këtij akti fisnik, u shpreh solidariteti me qytetarët në nevojë – veçanërisht me ata që trajtohen në institucionet tona shëndetësore”, thuhet në njoftim.
