Promovohet në Klinë vepra publicistike “KTHIMI I TRURIT” i autorit Ramiz Selimi

Shkruan: Lekë MRIJAJ

Në ambientet e Sallës së Kuvendit Komunal të Klinës, është zhvilluar ceremonia promovuese e kulturore e librit më të ri publicistik “KTHIMI I TRURIT ” nga autori dhe analisti i mirënjohur shumëdimensional, Ramiz Selimi.

Në këtë promovim morën pjesë: Prof. Zenun Elezaj, kryetar i Komunës së Klinës, me stafin e tij drejtues – të drejtorëve, duke përfshirë edhe Driton Bardhecin, drejtor i DKLRS-së në Klinë, dhe shumë figura të artit, kulturës nga Klina,Drenica, Dukagjini e Kosova.

Ky aktivitet, që tejkaloi përmasat e një ngjarjeje formale, u kthye në një takim të ndjeshëm kulturor, ku mendja dhe fjala u përqafuan me dashurinë për dijen dhe përkushtimin ndaj të ardhmes kulturore e kombëtare. Në një atmosferë të ngrohtë dhe solemne, përballë figurave të njohura akademike, intelektualëve të rajonit dhe dashamirësve të mendimit të thellë, libri u prezantua si një mjet i domosdoshëm për ndërgjegjësim shoqëror.

Vepra “KTHIMI I TRURIT” është një pasqyrë e kthjellët dhe guximshme e realitetit shqiptar, ku autori analizon me mprehtësi plagët e largimit të trurit, pikërisht rënien e vlerave intelektuale, dhe ftohjen e mendimit të lirë në diskursin publik. Me një gjuhë të qartë, por artistikisht të ngarkuar me reflektim, Selimi hedh dritë mbi një ndër fenomenet më të ndjeshme të kohës sonë, duke e shndërruar veprën në një thirrje për veprim, rikthim dhe ringjallje të shpirtit të gjithmbarshëm intelektual shqiptar.

Në panelin promovues morën fjalën:

Prof. Dr. Zenun Elezaj,

Prof. Safet Gerxhaliu,

Prof. Prend Buzhala,

Z. Esat Loshaj.

Vetë autori, Ramiz Selimi, në një fjalë falënderimi të sinqertë, theksoi se libri i tij qe është promovuar sot, nuk është thjesht një përmbledhje analizash, por një dëshmi e angazhimit personal për të nxitur kthimin e vlerave mendore dhe morale në truallin shqiptar.

Krejt në fund të aktivitetit, të gjithë të pranishmëve iu dhurua nga një kopje e librit, si shenjë mirënjohjeje dhe inkurajimi për ta përhapur mesazhin e tij. Ceremonia promovuese e sotme është mbyllur me duartrokitje të ngrohta dhe ndjenjën e qartë se kjo vepër e këtij autori të mirënjohur do të mbetet si një gur i rëndësishëm në publicistikë, pra, edhe një kujtese dhe frymëzimi për kohën që po jetojmë në Shqitaret e Kosovës dhe Shqipërisë.

Go to TOP