Topanica ironizon Vetëvendosjen: Qeveri në dorëheqje, por e përhershme!

Publicisti Imer Topanica ka reaguar me një koment ironik dhe kritik ndaj sjelljes së partisë më të madhe në vend duke e quajtur “zhgënjyes” zellin tallës dhe mungesën e seriozitetit në proceset institucionale. Në fokus të reagimit të tij është kërkesa për shtyrjen njëjavore të seancave konstituive, të cilën ai e cilëson si tregues të rënies së entuziazmit për “lojë në kurriz të miletit”.

Topanica shkon më tej duke i vënë në pah pasojat potenciale të një qasje të tillë: “Pse të mos kërkojnë një herë në muaj? Ideale do të ishte një herë në gjashtë muaj! Kështu deputetët do të mund ta zgjasnin mandatin e tyre pafundësisht, e për rrjedhojë edhe qeveria në detyrë do të shndërrohej në një qeveri në dorëheqje, por e përhershme.”

Në vazhdim, ai nuk lë pa ironizuar edhe deklaratën e deputetes Mimoza Kusari, e cila në përpjekje për të mohuar shkeljet kushtetuese është shprehur: “Kjo nuk ishte shkelje, sepse nuk u realizua!” Topanica e krahason këtë logjikë me një filozofi universale të rrezikshme: “Imagjinoni që kushdo që dështon të kryejë një krim të mund të justifikohet në gjykatë me të njëjtën fjali!”

Në fund, ai nënvizon me ironi të thellë durimin stoik të qytetarëve që, siç thotë, “duket se do t’i durojë për një kohë të gjatë”.

(Udhëzim për analfabetët funksionalë: është ironi fund e krye!) /Kosova.info/

Go to TOP