LDK në Pejë zyrtarizon kandidaturën e Gazmend Muhaxherit për zgjedhjet lokale të vjeshtës
Lidhja Demokratike e Kosovës në Pejë ka filluar zyrtarisht përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vjeshtë. Sot, nën drejtimin e kryetarit të degës, Gazmend Muhaxheri, u mbajt mbledhja e Kryesisë së LDK-së në këtë komunë.
Gjatë takimit u diskutuan fazat përgatitore për zgjedhje, strategjia organizative dhe emrat potencialë për kandidaturat kryesore. Kryesia vendosi unanimisht që kandidati për kryetar të Komunës së Pejës të jetë sërish Gazmend Muhaxheri, i cili gëzon mbështetje të plotë nga struktura lokale e partisë.
Po ashtu, u bë e ditur se javën e ardhshme do të përzgjidhen edhe emrat për listën e asamblesë komunale, me synimin për të prezantuar një ekip të fuqishëm dhe përfaqësues për qytetarët e Pejës.
LDK shpreh besimin se përmes këtij angazhimi të hershëm dhe unitetit të brendshëm do të sigurojë fitore bindëse në zgjedhjet lokale të këtij viti. /Kosova.info/
