Andoni: PS fitoi me diferencë të papritur, PD në krizë të thellë

Teksa procesi i numërimit të votave në Shqipëri po shkon drejt fundit, rezultati është pothuajse i qartë, Partia Socialiste ka siguruar një fitore të thellë me shumicë absolute në Kuvend. Njohësi i zhvillimeve politike në Shqipëri, Ben Andoni, ka komentuar zhvillimet zgjedhore dhe pasojat politike që pritet të sjellin këto rezultate.

“Pak njerëz kanë pritur një rezultat të tillë, përveç njerëzve afër Edi Ramës. Pjesa më e madhe e kanë pritur një avantazh të PS-së, por jo me këtë lloj diference,” tha Andoni.

Sipas tij, PS është ndalur në 83 mandate, ndërsa PD vetëm në 50, duke humbur madje edhe dy deputetë nga listat e mbyllura – të cilat zakonisht konsiderohen si “të sigurta”.

Duke folur për fushatën dhe procesin e zgjedhjeve, Andoni tha se zgjedhjei ishin me standarde teknike, por jo morale.

“Për sa i përket standardeve teknike, zgjedhjet kanë qenë të mira. Por në aspektin moral, PS ka përdorur të gjitha mjetet që kishte në zotërim – përfshirë administratën – çka e favorizon çdo parti që është në pushtet,” u shpreh Andoni, duke shtuar se opozita ishte më pak e avantazhuar në këtë aspekt.

Sipas tij, incidentet gjatë procesit nuk kanë ndikuar në standardin e përgjithshëm të zgjedhjeve.

Mes tjerash, Ben Andoni vlerëson se strategjia e Partisë Demokratike ka qenë e gabuar, ndërsa përpjekja për të përdorur këshilltarin amerikan të afërt me Donald Trump, z. Lacivita, ka rezultuar e pasuksesshme.

“Mënyra se si ata përdorën strategun amerikan, pothuajse nuk ka pasur asnjë rol në këto zgjedhje,” theksoi ai.

Një shqetësim i madh, sipas tij, është mënyra se si PD ka përzgjedhur kandidatët në listat e mbyllura.

“PD në listat e sigurta futi njerëz që nuk frymëzonin elektoratin. Dhe gjatë kësaj kohe, PD ka pjellë edhe parti të tjera të vogla – pra është ndarë, është ndarë,” deklaroi Andoni.

Tutje, Ben Andoni shprehu shqetësim për gjendjen e demokracisë në Shqipëri pas këtij rezultati.

“Shikoj që momenti i demokracisë shqiptare është jashtëzakonisht i vështirë, për shkak të mungesës së një opozite që të përfaqësojë një mendim ndryshe në Shqipëri,” përfundoi ai.


Go to TOP