Atalanta fiton ngushtë ndaj Romës, siguron praninë në Champions League

Atalanta do të luajë sërish në Champions League, pasi kjo është konfirmuar të hënën kur klubi nga Bergamo ka  fituar ndaj Romës me rezultat 2-1 në ndeshjen e zhvilluar në “Gewiss Stadium”.

Heroi i ndeshjes ka qenë mesfushori Ibrahim Sulemana, i cili ka realizuar golin vendimtar në minutën e shtatëdhjetë e gjashtë, vetëm pak minuta pasi është inkuadruar në lojë si zëvendësues. Pas një krosimi të Ademola Lookman, topi është devijuar nga mbrojtja e Romës dhe ka përfunduar te Sulemana, i cili me një goditje të fortë nga afër ka shënuar për 2-1.

Atalanta e ka nisur ndeshjen më mirë dhe ka kaluar në epërsi që në minutën e nëntë. Charles De Ketelaere ka asistuar për Lookman, i cili me një lëvizje teknike dhe goditje të saktë e ka mposhtur portierin Svilar.

Megjithatë, Roma ka reaguar dhe në minutën e tridhjetë e dy e ka barazuar rezultatin përmes një goditje të lirë të harkuar nga Matias Soule, që është devijuar me kokë në rrjetë nga Bryan Cristante.

Skuadra romake ka pasur mundësi të kalojë në epërsi në pjesën e dytë, por tentimi i Eldor Shomurodov është ndalur nga portieri Carnesecchi.

Një moment diskutabil ka ndodhur në minutën e gjashtëdhjetë e pestë, kur gjyqtari ka akorduar fillimisht një penallti për Romën pas një kontakti mes Pasalic dhe Kone, por pas konsultimit me VAR, vendimi është anuluar.

Falë kësaj fitore, Atalanta gjendet në vendin e tretë në Serie A. Ndërkohë, Roma mbetet në vendin e gjashtë dhe rrezikon të mbetet jashtë zonës së katër skuadrave të para, teksa i kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u zhvilluar.

Go to TOP