Sadiku: Infermierët janë shtylla e kujdesit shëndetësor
Me rastin e 12 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka shprehur mirënjohje dhe respekt të thellë për të gjithë infermierët dhe infermieret që çdo ditë kontribuojnë në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve me përkushtim dhe humanizëm.
“Sot nderojmë ata që me zemër, përkushtim, humanizëm dhe dashuri kujdesen për të tjerët pa u lodhur – infermierët dhe infermieret tona. Ju jeni shtylla e kujdesit shëndetësor, zëri i ngrohtë në dhimbje, dora e sigurt në pasiguri, dhe forca e heshtur që mban gjithçka në ekuilibër,” u shpreh Sadiku.
Ai falënderoi të gjithë profesionistët e infermierisë për çdo sakrificë, për çdo orë pa gjumë, për çdo buzëqeshje në mes të lodhjes dhe për çdo jetë të prekur me dashuri e profesionalizëm.
“Gëzuar festa juaj – është e merituar!” përfundoi ai.
Kjo ditë shënon një mundësi për të theksuar rëndësinë jetike të rolit të infermierëve në sistemin shëndetësor dhe për të kërkuar mbështetje të vazhdueshme institucionale për përmirësimin e kushteve të tyre të punës dhe zhvillimin profesional. /Kosova.info/
