Dy vjet burg të pandehurit që shkaktojë aksidentin me fatalitet në Skivjan
Gjykata Themelore në Gjakovë e ka shpallur fajtor të pandehurin Z. R. për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, dhe e ka dënuar me dy vjet burgim efektiv dhe me dënim plotësues të marrjes së lejes së vozitjes.
Sipas komunikatës së lëshuar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë “gjyqtari i vetëm gjykues, Driton Sadiku, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, e ka shpallur fajtor të pandehurin dhe e ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) vitesh. Gjithashtu, si dënim plotësues, të akuzuarit i merret leja e vozitjes e kategorisë ‘B1/B/M/L/T’ dhe i ndalohet marrja e lejes së re për dy (2) vjet nga data kur aktgjykimi të bëhet i formës së prerë”.
Ngjarja për të cilën është shpallur fajtor i pandehuri ka ndodhur më 17 mars 2024, në fshatin Skivjan të Komunës së Gjakovës.
“Nga pakujdesia, i pandehuri Z. R. ka rrezikuar sigurinë e trafikut publik dhe ka shkaktuar vdekjen e tani të ndjerit B. D., duke u përplasur me veturën e tij në tentim tejkalimi të një automjeti tjetër, pa përshtatur shpejtësinë dhe pa u siguruar për kushtet në rrugë”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë.
Si pasojë e aksidentit, i ndjeri B. D. ndërroi jetë më 18 mars në QKUK, ndërsa i pandehuri pësoi lëndime trupore. Përveç humbjes së jetës, nga aksidenti u shkaktuan edhe dëme materiale në dy automjete të përfshira.
Sipas prokurorisë, palët në procedurë kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktgjykimi brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të tij në formë të shkruar. /Kosova.info/
