Uta Ibrahimi shkruan histori: E para shqiptare dhe ballkanase që ngjitet në 14 majat më të larta të botës

Alpinistja e njohur nga Kosova, Uta Ibrahimi, ka përmbyllur një kapitull historik në sportin e alpinizmit botëror dhe në historinë shqiptare. Ajo u ngjit me sukses në majën Kanchenjunga, një nga 14 majat më të larta të botës duke u bërë jo vetëm gruaja e parë shqiptare, por edhe e para në Ballkan që arrin këtë arritje të jashtëzakonshme.

Me këtë ngjitje, Ibrahimi përmbylli misionin e saj të jashtëzakonshëm: të ngjitej në të gjitha majat mbi 8000 metra në botë, një rrugëtim që kërkon guxim ekstrem, përgatitje të hekurt dhe një shpirt të pathyeshëm.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e cilësoi suksesin e saj si një ngjarje që i jep lavdi jo vetëm sportit, por gjithë Kosovës. “Kjo nuk është thjesht arritje sportive. Është një dëshmi e forcës së shpirtit kosovar,” u shpreh ai duke e cilësuar Utën si krenari kombëtare.

Nga Himalajet e deri në zemrën e Kosovës, emri i Uta Ibrahimit do të qëndrojë përherë në majat më të larta – si simbol i guximit, i qëndrueshmërisë dhe i përkatësisë krenare shqiptare.

Urime, Uta – me ty, edhe Kosova ngjitet më lart! /Kosova.info/


Go to TOP