Studimet letrare të Anton Nikë Berishës vijnë të kompletuara në dhjetë vëllime…

Shkruan: Sabit RrUSTEMI

Një gjysmë shekulli angazhim, përkushtim e profesionalizëm në studimet letrare i Prof. dr. Anton Nikë Berishës, kurorëzohet me kompletin 10 vëllimesh ku janë zgjedhur dhe renditur studimet më përmbajtësore të letërsisë, qoftë në planin kombëtar – veprat e letërsisë shqipe, qoftë në planin ndërkombëtar – veprat e shquara të letërsisë botërore.

Dhe kjo punë kolosale e këtij studiuesi të rrallë të letërsisë, për koincidencë, shpërfaqet e kompletuar dhe e botuar, pikërisht në 620 vjetorin e Datëlindjes së heroit të të gjitha kohërave, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut përmes Shtëpisë botuese “Faik Konica” të Prishtinës, falë dhe mbështetjes financiare të dy dashamirëve të mëdhenj të letërsisë, dr. Ukë Berishës dhe don Pal Tunajt, natyrisht e ndihmuar nga ana profesionale edhe prej Prof. dr. Labinot Berishës.

Një komplet u tillë i veprave studimore të një studiuesi të letërsisë, me sa di, është i pari në letërsinë shqipe dhe shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore e shkencore, sidomos në fushën e studimeve letrare për vitin 2025…

Pata fatin që, tri ditë pas daljes nga shtypi, ta kem në duar këtë thesar tejet të çmuar për letërsinë tonë dhe atë të përbotshme dhe ta prajoj si një nga dhuratat më të çmuara prej vetë autorit, profesorit të nderuar, Anton Nikë Berishës, të cilin pata privilegjin ta mirëpres sot në shtëpinë time, këtu rrëzë Rrezes së Çepurit, në fshatin Zhegër, duke kaluar një pasdite të bukur maji, jo vetëm me vlerat studimore të këtij kompleti po edhe me bukuritë e një pjese të bukur të Karadakut dhe ajrit të paqtë të natyrës, për të cilën kemi shumë nevojë. Njëjtë thuaja si për këto studime.

Duke e falënderuar profin tonë të nderuar, e përgëzoj për kurorëzimin e kësaj punë gjysmëshekullore, duke i dëshiruar shëndet, jetë, po edhe studime e vepra të reja që begatojnë letërsinë, në përgjithësi.

Nga Rrezja e Çepurit, Zhegër / 9 maj 2025


Go to TOP