Muharremi: Mos na irritoni me robotë, s’kemi as drita, shkollë, park as çerdhe
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj projekteve që, sipas tij, janë joreale dhe të shkëputura nga nevojat bazike të qytetarëve të Prishtinës. Përmes një postimi të drejtpërdrejtë, ai ka kritikuar qasjen e kryetarit aktual të komunës për përqendrimin në projekte si “robotët për Prishtinën”, ndërkohë që lagjet e kryeqytetit përballen me mungesë të theksuar të shërbimeve themelore.
“E lus kryetarin aktual të Prishtinës mos me na irritu me tema të ‘Robotave për Prishtinën’, po me u fokusu në problemet bazike të qytetit, si trafiku, kanalizimet, uji i pijshëm, mirëmbatjet, realizimi i projekteve… gjëra bazike dhe të duhura”, ka deklaruar Muharremi.
Ai thekson se në lagjen ku jeton nuk është realizuar asnjë nga premtimet e dhëna – nuk ka shkollë, qerdhe, park e as ndriçim publik. “Qe katër muaj nuk funksionojnë dritat natën dhe fëmijët rrezikohen në terr. Kemi kërku dhjetëra herë nga komuna me u ndreq kjo punë, asgjë s’ka ndodhë”, ka shtuar ai duke theksuar edhe mungesën e përgjigjes institucionale nga departamentet komunale.
Me fjalët “Çfarë robotë, pashë Zotin? Të bëhemi seriozë, ju lutem”, Muharremi ka bërë thirrje për kthim të vëmendjes nga idetë e zhurmshme tek problemet reale të qytetarëve të Prishtinës. /Kosova.info/
