LBK kërkon pezullimin e vendimit të ZRRE-së për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë: Rrezikohen 100 mijë vende pune

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) i është drejtuar me kërkesë zyrtare Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) duke kërkuar pezullimin e vendimit që parasheh daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike nga data 1 qershor 2025. Ky vendim prek të gjitha bizneset që kanë mbi 50 të punësuar ose realizojnë qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro.

Sipas LBK-së, ky vendim është i parakohshëm dhe i rrezikshëm për sektorin privat dhe ekonominë vendore, sidomos për shkak të afatit të shkurtër të njoftimit, mungesës së konsultimeve dhe çmimeve shumë më të larta në tregun e lirë të energjisë.

“Bizneset janë informuar për këtë vendim vetëm në fund të muajit shkurt duke pasur vetëm tre muaj kohë për t’u përgatitur. Kjo është e papranueshme për një vendim që ka ndikim kaq të madh financiar,” thuhet në kërkesën e LBK-së.

Përveç kësaj, LBK thekson se furnizuesit aktualë në tregun e lirë janë kryesisht të huaj, gjë që rrit varësinë nga tregjet e jashtme dhe cenon sigurinë energjetike dhe ekonomike të vendit. Po ashtu, çmimet e ofruara në tregun e lirë janë 200-300% më të larta se tarifat aktuale, çka rrezikon falimentimin e shumë bizneseve dhe humbjen e afro 100 mijë vendeve të punës.

LBK rikujton se edhe më herët ka shprehur kundërshtime dhe ka dorëzuar komente gjatë periudhës së konsultimeve duke kërkuar një afat shtesë për përgatitje prej së paku dy vjetësh. Sipas tyre, periudha aktuale është më e vështira për bizneset dhe një zbatim i menjëhershëm i vendimit mund të sjellë pasoja të pakthyeshme.

Duke propozuar një pezullim njëvjeçar të vendimit, LBK kërkon që t’u jepet kohë bizneseve për të gjetur zgjidhje të përshtatshme dhe për të shmangur efektet e dëmshme në prodhimin vendor, konkurrueshmëri dhe konsumatorë, të cilët përndryshe do të përballen me produkte më të shtrenjta.

Në përmbyllje, LBK rithekson se ky pezullim nuk bie ndesh me kornizën ligjore në fuqi që nga viti 2017, pasi nuk ka pasur ndryshime të ndërmjetme që ta pamundësojnë një shtyrje të tillë.

“Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet e gatshme për bashkëpunim dhe konsultim të mëtejmë, në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit,” përfundon kërkesa e tyre. /Kosova.info/

Go to TOP