Hoti: Alfa dhe omega në këtë proces është marrëveshja politike

Afrim Hoti, profesor universitar, lidhur me situatën e tanishme në vend, rreth konstituivit të Kuvendit të Kosovës, tha se në këtë pikë nuk kemi të bëjmë absolutisht me politikë, por, sipas tij, ka të bëjë me mosmarrëveshje politike. Ai tha se alfa dhe omega në këtë proces është marrëveshja politike.

Hoti , në “INfoPlus” në RTK, mes tjerash, mori si shembull zgjedhjet në SHBA, ku brenda pak kohësh u bë transferi i pushtetit, e që ndikoi edhe në sistemin botëror, ndërsa në vendin tonë pas ca muajsh, ende nuk po arrihet të zgjidhet i pari i Kuvendit.

“Janë dy rrugë, parimisht nuk ka rrugë të tretë. Rruga e parë është zgjedhja e kryeparlamentarit ose parlamentares nga subjekti fitues, nëse ka votat për ta bërë një gjë të tillë, dhe, nëse kjo nuk ndodhë, atëherë domosdoshmërisht shkojmë te zgjedhja e dytë e cila në bërthamë duhet të ketë marrëveshje politike”, tha Hoti.

Ai më tej tha se mund të mbahen seanca të tjera, por, shtoi ai, zgjedhja e kryetarit nënkupton marrëveshje paraprake politike ndërmjet subjekteve politike, të cilat do të mbështesnin ndonjë  nga kandidatët e propozuar.

Hoti ndërkaq vuri në dukje se kandidatja e tanishme e LVV-së nuk ka mbështetjen e opozitës, derisa partia fituese nuk po gjen mekanizma që do të mund ta detyronte opozitën për ta mbështetur këtë kandidaturë.

“Pra alfa dhe omega, bibël e kuran, në këtë proces është marrëveshja politike, e cila tash e sa kohë po i mungon Kosovës”, tha mes tjerash Hoti.

Go to TOP