Arrestohet i dyshuari për dhënie ryshfeti në Jarinjë
Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të dyshuar për tentim dhënie ryshfeti ndaj zyrtarëve policorë në pikën kufitare të Jarinjës. I dyshuari tentoi të ofronte ryshfet për të mundësuar kalimin e paligjshëm të bashkëshortes së tij në Republikën e Kosovës, duke anashkaluar procedurat dhe kriteret shtetërore të kalimit të kufirit.
Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Mitrovicë Veri, në bashkëpunim me Stacionin Policor Kufitar në Jarinjë, ndërmori veprime operative pas pranimit të një informate për tentim ryshfeti.
Pas arrestimit, janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, përfshirë intervistimin e të dyshuarit në prani të avokatit mbrojtës dhe sekuestrimin e provës materiale.
“Është analizuar raporti i zyrtarëve policor të ndërlidhur në rast dhe pas shqyrtimit të të gjitha provave, lidhur me procedurën penale Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim mbi ndalimin e personit të arrestuar për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Kosova.info/
