Kica, Muratit: Gjuha juaj skandaloze ju ka bërë partnerë të padurueshëm
Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili i është kundërpërgjigjur Hekuran Muratit, deputetit të Vetëvendosjes i cili e quajti skandaloz propozimin e liderit të LDK-së për qeveri tranzicionale, duke thënë se vetëm në një vend të sapo dalë nga lufta mund të ketë një qeveri të tillë.
“Hekuran, zgjedhe more zotëri kryekuvendarin e qeverinë, kush po ju ndal? Çka po prisni nga ne nëse zgjidhjet tona nuk po ju përshtaten? Paradite shpifni e fyeni LDK-në që pasdite e lusni me nderime. As nuk kemi nevojë t’iu demantojmë më sepse ju përgënjeshtroni veten në sinkron”, ka shkruar nënkryetarja e LDK-së.
Ajo thotë se LVV-ja po imponon kandidat të papranueshëm për Kryetar të Kuvendit, dhe po i interpreton proceset arbitrarisht.
“Flisni në përsëritje të mërzitshme se si numrat për qeveri i keni, por jo për Kryetar Kuvendi. Kosova është në krizë institucionale me Kuvend të bllokuar nga ju, çka e bën qeverinë tranzicionale zgjidhje pragmatike”, shkroi tutje ajo si kundërpërgjigje ndaj Muratit.
Për Kica-Xhelilin zgjedhjet e reja, të mbajtura kaq shpejt pas atyre të 9 shkurtit 2025, vetëm do të thellonin polarizimin politik dhe rrisin apatinë e votuesve, sipas saj, me të drejtë.
“Derisa ju bllokoni e shpërtheni në retorika banale, ne ofrojmë zgjidhje brenda kornizave realiste. Meqë të duket zgjidhja skandaloze, dil e tregoju sinqerisht qytetarëve se si apetitet tuaja janë më të rëndësishme se stabiliteti politik, pangopësia juaj determinuese në kapje të shtetit, e si gjuha e juaj skandaloze sot ju ka bërë partnerë të padurueshëm politik”. /Kosova.info/
