IKD kërkon urgjencë legjislative: Moszbatimi i vendimit të Kushtetueses për Ligjin e Pagave rrezikon buxhetin me mbi 35 milionë euro
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i ka drejtuar një letër publike deputetëve të Legjislaturës së IX-të të Kuvendit të Kosovës, duke ngritur shqetësimin për moszbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Në këtë letër, IKD kërkon ndërmarrjen e menjëhershme të hapave legjislativë për të korrigjuar uljen e shtesës për përvojën e punës nga 0.5% në 0.25%, e cila është cilësuar si antikushtetuese.
Sipas vendimit KO79/23 të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi ishte i obliguar që deri më 1 gusht 2024 ta rikthejë përqindjen minimale prej 0.5% për çdo vit përvojë pune, me efekt nga 1 shkurti 2024. Moszbatimi i këtij vendimi përbën shkelje të Kushtetutës dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, thekson IKD.
Si pasojë e kësaj neglizhence, vetëm më 5 maj 2025 në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë dorëzuar rreth 2 mijë padi ndaj Kuvendit, të cilat sipas IKD-së përfaqësojnë një rrezik real për mbingarkimin e gjyqësorit dhe një barrë të madhe financiare për buxhetin e Kosovës. Vetëm për shpenzime procedurale, llogaritet që shteti mund të humbasë mbi 35 milionë euro, pa llogaritur kamatat dhe përmbarimet eventuale.
IKD thekson se përveç pasojave juridike dhe financiare, kjo situatë prek drejtpërdrejt jetën e 90,696 zyrtarëve publikë dhe familjeve të tyre. Instituti i bën thirrje Kuvendit të ri që menjëherë pas konstituivit të ndërmarrë nismën për plotësim-ndryshimin e ligjit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm për mbrojtjen e shtetit të së drejtës dhe drejtësisë sociale në administratën publike. /Kosova.info/
