Sulm në një qendër tregtare në Kaçanik, arrestohen dy persona
Dy persona janë arrestuar në Kaçanik pas një incidenti të ndodhur të hënën pasdite në një qendër tregtare, ku një qytetar është sulmuar fizikisht me shkop druri.
Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur më 5 maj 2025, rreth orës 15:00.
Sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra për Informim e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, viktima ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik, ndërsa të dyshuarit ishin larguar nga vendi i ngjarjes pas incidentit.
Të njëjtit më pas janë paraqitur vetë në stacionin policor, ku janë intervistuar nga hetuesit policor. Me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit A. Sh. (41 vjeç) dhe A. Sh. (36 vjeç) janë ndaluar për 48 orë dhe janë dërguar në qendrën e mbajtjes për procedura të mëtejshme hetimore.
