Nga Gjermania në Kosovë: Fermerja e re Mihrije Mirena ndërton fermën e saj të qumështit me përkushtim dhe vizion

Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (ShPQK) këtë javë zhvilloi një vizitë frymëzuese në fermën e zonjës Mihrije Mirena, një fermere e re e cila pas disa viteve qëndrimi dhe pune në Gjermani, ka vendosur të rikthehet në Kosovë, gjegjësisht në Nakaradë të Fushë Kosovës për të ndërtuar jetën dhe biznesin e saj në vendlindje.

Me shumë përkushtim dhe energji pozitive, Mihrija ka themeluar një fermë moderne të qumështit duke u përballur me sfida të shumta që karakterizojnë sektorin bujqësor në Kosovë. Gjatë vizitës, përfaqësuesit e ShPQK-së patën mundësinë të njihen nga afër me kushtet e punës së saj, rutinën e përditshme dhe përpjekjet për të siguruar një prodhim cilësor dhe të qëndrueshëm.

“Mihrija përfaqëson një brez të ri të fermerëve që zgjedhin të investojnë në bujqësinë vendore duke sjellë përvojat e fituara jashtë vendit dhe duke kontribuar në zhvillimin rural të Kosovës. Shembulli i saj është një dëshmi e gjallë e potencialit që ka rinia kur mbështetet dhe inkurajohet në rrugën e vetëpunësimit dhe bujqësisë së qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e ShPQK-së.

Shoqata e Prodhuesve të Qumështit e vlerëson lartë përkushtimin e Mihrijes dhe do të vazhdojë të mbështesë fermerët e rinj që kontribuojnë në përforcimin e prodhimit vendor. /Kosova.info/

Go to TOP