Halimi: Shteti kundër shtetit – Qeveria po saboton punën e Komunës së Prishtinës

Drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të qeverisë që sipas saj po e pengojnë qeverisjen lokale në kryeqytet. Ajo e ka cilësuar situatën si një përballje të papranueshme ndërmjet pushtetit nacional dhe atij komunal duke e quajtur këtë përplasje “shteti kundër shtetit”.

“Nuk është pamje që do të doja ta shihja ndonjëherë – një kryetar komune në betejë me burokracinë qeveritare, që përballet me arsenalin e shtetit vetëm sepse po ndërton një shesh më shumë në kryeqytet,” ka shkruar Halimi.

Ajo ka kritikuar ashpër mënyrën se si qeveria qendrore po ndërhyn në kompetencat lokale duke e krahasuar këtë sjellje me praktika politike të kohëve të luftës, ku çdo individ apo institucion jashtë “perimetrit mbrojtës partiak” shihet si armik.

“Nuk mund të ushtrosh vullnet politik në Leposaviq, ndërkohë që pengon një vullnet politik në Prishtinë,” ka theksuar Halimi duke kërkuar që qeveria të ndalë obstruksionet dhe të mundësojë funksionimin e plotë të institucioneve komunale.

Ajo përmbyll thirrjen e saj me një apel të qartë për përmbushjen e përgjegjësive shtetërore: “Lëreni qeverisjen lokale të bëjë punën e saj. Ju bëjeni tuajën: konstituojeni Kuvendin!”. /Kosova.info/


Go to TOP