Muharremi: Sheshi “Xhorxh Bush” po politizohet, qytetarët mund të pësojnë në këtë luftë mes pushtetit qendror dhe komunal

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale lidhur me ngërçin institucional që ka shpërthyer për Sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë duke e quajtur këtë situatë një përplasje të qartë mes pushtetit qendror dhe atij komunal, me pasoja të mundshme për qytetarët.

Sipas Muharremit, ky rast, që po merr përmasa të mëdha publike, është shembulli i qartë se si mungesa e bashkëpunimit mes institucioneve po shndërrohet në një fushëbetejë politike, veçanërisht në prag të zgjedhjeve lokale.

“Nuk ka dyshim që kjo punë me Sheshin Xhorxh Bush po politizohet. Ka një ‘luftë’ mes pushtetit qendror dhe atij komunal. Kjo nuk po duket se është një rast ku institucionet ulen e dakordohen, përkundrazi,” ka shkruar ai.

Ai ka theksuar se qytetarët janë ata që rrezikojnë të pësojnë më së shumti nga kjo përplasje institucionale, ndërsa për të kuptuar më mirë rastin, ai ka ndarë edhe një ilustrim vizual që e sqaron ndarjen e sheshit në dy zona me trajtim të ndryshëm: në njërën anë po lejohet puna (ana e Katedrales), ndërsa në anën tjetër (pjesa e parkingut) jo.

“Paramendoni çfarë situate jemi: Xhorxh Bush është ndarë më dysh tashmë,” ironizon Muharremi.

Në fund, ai fton publikun që të ndajë informacione të sakta për të sqaruar më tej situatën duke theksuar se komunikimi i qartë është i domosdoshëm në raste të tilla kur palët përplasen përtej logjikës institucionale. /Kosova.info/


Go to TOP