Piktorja Argenita Fetahu, pjesë e `London Art Biennale 2025`
Piktorja Argenita Fetahu në ‘Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK ka ndarë emocionet dhe rrugëtimin e saj drejt një arritjeje në karrierën e saj. Ajo është përzgjedhur për të marrë pjesë në “London Art Biennale 2025”.
Piktorja Fetahu, e cila është njohur për punët e saj unike, tregoi se inspirimi për një nga krijimet e saj ka ardhur nga një moment personal.
“’Muzë’ është një inspirim ku e kam marrë një fustan të nënës time nga dollapi, thjesht e mora dhe e provova, dhe nëpërmjet lëvizjeve, qysh jam ndjerë në atë moment, e kam shprehur në pikturë. Natyrisht ata e kanë pëlqyer dhe më kanë përzgjedhur që të jem pjesë e Bienales” ka theksuar Fetahu.
Ajo e përshkroi këtë përzgjedhje si një arritje të madhe.
“Kjo është një arritje e madhe për mua dhe jam shumë e lumtur që po e përfaqësoj vendin tim dhe punën time në një vend prestigjioz siç është ‘London Art Biennale 2025’, që do të mbahet nga data 16 korrik, nëse e marr vizën normalisht”, ka thënë ajo.
Argenita Fetahu do të përfaqësojë kulturën dhe identitetin shqiptar në skenën ndërkombëtare.
