Osmani dënon dhunën ndaj futbollistit Belgin Jashari: Akt i papranueshëm!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj dhunës fizike dhe verbale të ushtruar ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari. Përmes një deklarate publike, ajo e ka cilësuar ngjarjen si një akt të papranueshëm që cenon vlerat bazë të shoqërisë sonë, si respekti, barazia dhe dinjiteti njerëzor.

“Sporti duhet të jetë urë që lidh njerëzit, jo mur që i ndan,” ka theksuar Osmani, duke shtuar se çdo i ri duhet të ndihet i sigurt dhe i respektuar, pa dallim prejardhjeje apo identiteti.

Presidentja ka bërë thirrje që institucionet përkatëse të ndërmarrin masa urgjente për të hetuar rastin dhe për të ndëshkuar autorët e përfshirë në dhunë dhe fyerje. Ajo nënvizoi se askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin, sidomos kur bëhet fjalë për cenimin e dinjitetit dhe sigurisë së të rinjve.

“Dhuna dhe urrejtja nuk kanë vend në fushat tona të sportit, as në shoqërinë tonë demokratike,” përfundoi presidentja Osmani në reagimin e saj. /Kosova.info/

Go to TOP