Njësia B1 e TC-B rikthehet në funksion para afatit – KEK përfundon me sukses remontin

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar për përfundimin me sukses dhe para afatit të punimeve të planifikuara në njësinë B1 të Termocentralit Kosova B. Remonti, i cili kishte nisur më 23 mars 2025, u përmbyll më 24 prill duke shënuar një arritje të rëndësishme për sektorin energjetik të vendit.

Në njoftim, KEK thekson se ky sukses është rezultat i përkushtimit të jashtëzakonshëm të stafit të TC-B-së, përfshirë punëtorët, inxhinierët dhe menaxhmentin. Gjatë kësaj periudhe janë realizuar një sërë riparimesh dhe përmirësimesh, si ndërrimi i pjesëve të dëmtuara, rinovimi i sistemeve të ndryshme teknike dhe implementimi i procedurave të domosdoshme për të garantuar stabilitetin dhe efikasitetin operacional të njësisë.

Falë përgatitjeve të kujdesshme dhe kontrollit rigoroz nga ekipi i ekspertëve, njësia B1 është sinkronizuar me rrjetin elektrik kombëtar në orën 22:32 të datës 24 prill 2025 dhe aktualisht funksionon në mënyrë të qëndrueshme.

KEK vlerëson këtë rikthim të suksesshëm si dëshmi të profesionalizmit dhe angazhimit të të gjithë të përfshirëve në proces duke e konsideruar atë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë energjetike në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP