Në Klinë u përkujtua veprimtari Ismet Rraci në 24-vjetorin e vrasjes së tij

Në 24-vjetorin e vrasjes së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare dhe Kryetarit të parë të Komunës së Klinës të zgjedhur pas luftës me votë të lirë, Ismet Rraci, u mbajt një tubim përkujtimor për të nderuar jetën dhe veprën e tij.

Në këtë ngjarje të organizuar në Klinë morën pjesë nënkryetari i LDK-së, Anton Quni, kryetarë degësh, deputetë, bashkëveprimtarë, struktura të Degës së LDK-së në Klinë, si dhe qytetarë të shumtë, të cilët u bashkuan në kujtim të njërit prej figurave më të spikatura të qëndresës politike të pasluftës.

Ismet Rraci kujtohet si një burrë që jetën ia kushtoi lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai ishte një zë i guximshëm i përkushtimit ndaj idealeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Përfaqësues të LDK-së ritheksuan angazhimin për të çuar përpara vizionin politik të Rracit, ndërsa kërkuan drejtësi për vrasjen e tij dhe për vrasjet e shumë veprimtarëve politikë të pasluftës.

Në emër të Degës së LDK-së dhe familjes Rraci, u shprehën falënderime të përzemërta për të gjithë ata që morën pjesë dhe nderuan kujtimin e tij duke ndarë kujtime për jetën dhe veprën e këtij veprimtari të palodhur të kauzës kombëtare. /Kosova.info/

Go to TOP