“Sot votohet për transparencë”: Përparim Rama thërret për hapjen publike të Planit Zhvillimor Komunal

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë thirrje për mbështetje ndaj transparencës në procesin e planifikimit urban, duke njoftuar se sot në Kuvendin Komunal pritet të votohet për nxjerrjen në shqyrtim publik të Planit Zhvillimor Komunal (PZHK).

Pas më shumë se një viti e gjysmë bllokimesh, Rama thekson se dokumenti vazhdon të pengohet nga ata që nuk dëshirojnë që qytetarët të kenë qasje, informacion dhe të drejtë pjesëmarrjeje për të ardhmen e qytetit.

“Sot nuk votohet për miratimin përfundimtar të planit. Sot votohet për ta bërë publik – për të dhënë mundësinë që qytetarët ta shohin, të japin komente, propozime apo vërejtje,” thekson Rama.

Ai paralajmëron se nëse dokumenti nuk votohet sot, qytetarëve do t’u mohohet e drejta të jenë pjesë e një procesi që vendos për zhvillimin e lagjeve, infrastrukturës, gjelbërimit dhe planifikimit urban të Prishtinës.

“Sot është momenti për të treguar nëse duam një qeverisje të hapur e të ndershme që dëgjon qytetarin. Sot e shohim qartazi kush po voton për transparencë, e kush po bllokon,” përfundon Rama duke e shoqëruar mesazhin me thirrjen: #mosmabllokoPrishtinen. /Kosova.info/


Go to TOP