Thirrje për drejtësi 24 vite pas vrasjes së Ismet Rracit, Astriti: Të ndriçohet atentati politik ndaj babait tim
Në 24-vjetorin e vrasjes së Ismet Rracit, djali i tij, Astrit I. Rraci, ka bërë një thirrje publike për drejtësi duke kërkuar guxim qytetar për të dëshmuar dhe vullnet politik për të krijuar kushtet që do të mundësonin zbardhjen e atentatit ndaj të atit.
Ismet Rraci u vra mëngjesin e 24 prillit 2001, në një atentat të cilësuar si i organizuar dhe politik, ndërsa ishte rrugës për në vendin e tij të punës. Ai kishte vetëm pak muaj që ishte zgjedhur Kryetar i Komunës së Klinës, në zgjedhjet e para të lira të mbajtura në Kosovë pas luftës. Në këto zgjedhje, ai udhëhoqi Lidhjen Demokratike të Kosovës në Klinë, parti në të cilën kishte qenë aktiv edhe gjatë viteve të rezistencës.

Astrit Rraci përkujtoi babin e tij me një fotografi të rrallë dhe një mesazh të ruajtur nga studiuesi Zekerija Cana, i shkruar menjëherë pas vrasjes, si dëshmi e dhembjes dhe peshës së krimit që ende kërkon zbardhje.
“Të mos heshtim përballë padrejtësisë. Të kërkojmë të vërtetën. Ekzekutorët dhe urdhërdhënësit duhet të dalin para drejtësisë,” tha ai në një mesazh publik duke rikujtuar se ndriçimi i këtij rasti është detyrë ndaj familjes, historisë dhe drejtësisë në Kosovë. /Kosova.info/
