Krasniqi: Ndryshimet ligjore, çelësi për zhvillimin e ekonomisë qarkore
Është prezantuar drafti i parë që rekomandon ndryshimin e kornizës ligjore për ekonominë qarkore, i mbështetur nga Bashkimi Evropian. Ky dokument ka për qëllim nxitjen e aktiviteteve të ekonomisë qarkore dhe mbështetjen e tranzicionit të gjelbër në Kosovë. Besnik Krasniqi, profesori dhe hartuesi i draftit, theksoi nevojën e ndryshimeve ligjore për të përmirësuar skemat e stimujve dhe për të inkurajuar bizneset që zbatojnë parimet e ekonomisë qarkore.
Hartuesi i draftit të “Dokumentit të parë të Politikave”, draft i cili është mbështetur nga BE-ja dhe zbatohet nga “People in Need” dhe “Rilindja e Gjelbër, tha për emisionin “Ekonomiks” në RTK, se ekonomia qarkore duhet të mbështetet nëpërmjet ndryshimeve ligjore.
“Drafti për përmbledhjen e politikave në fushën e ekonomisë qarkore, përmban një analizë të gjendjes ekzistuese për të parë se cilat janë skemat e stimujve të cilat e mbështesin ekonominë qarkore dhe çka i nevojitet Kosovës dhe ndryshimet eventuale të këtyre skemave për të ndërruar skema që janë më nxitëse, në kuptimin e inovacioneve në këtë fushë”, tha Krasniqi.
Krasniqi vuri në dukje se, në udhëzimet administrative aktuale, nuk ka ndonjë favorizim të veçantë për bizneset që zbatojnë parimet e ekonomisë qarkore.
“Në udhëzimet administrative aktuale, nuk ekziston ndonjë favorizim specifik ose nuk shquhet ndonjë kriter që i favorizon ekonomitë apo bizneset që i aplikojnë parimet e ekonomisë qarkore, dhe ne kemi propozuar që të bëhet plotësim ndryshimi i këtyre udhëzimeve administrative, dhe në thirrjet eventuale të ardhshme, krahas kritereve ekzistuese, të futet edhe kriteri shtesë, që edhe bizneset që aplikojnë parimet e ekonomisë qarkore, të bëhen pjesë e këtyre skemave”.
Ai sugjeroi gjithashtu që një sistem poentimi të mund të ofronte një diskriminim pozitiv për bizneset që përdorin teknologji të reja për të reduktuar mbetjet, për të ricikluar ato, ose për t’i ripërdorur në mënyra inovative.
“Kemi dashur që të bëjmë një favorizim, që të futet një sistem i poentimit e cila bën një diskriminim pozitiv për bizneset që aplikojnë teknologji të reja që e bëjnë reduktimin e mbetjeve apo riciklimin e tyre, ripërdorimin, apo mënyra inovative për të prodhuar”, shtoi ai.
Mes tjerash, profesori Besnik Krasniqi bëri një thirrje për institucionet shtetërore.
“Thirrja ime është që sa më parë të fillojnë të implementojnë aty ku ka mundësi, përtej këtyre udhëzimeve administrative, në çdo lloj strategjie, dokumenti apo skeme që dizajnojnë. Ata duhet të shohin mundësi se si mund të implementojnë disa nga kriteret që favorizojnë ekonominë qarkore.”
“Ekonomia qarkore nuk është mit. Krahas mbrojtjes së mjedisit, bizneset do të jenë në gjendje të lancojnë produkte inovative duke përdorur teknologji të reja dhe duke u bërë më efikase”, theksoi ai.
