Deda: Marrëveshja politike nuk imponohet, kërkon kandidat konsensual dhe frymë bashkëpunimi

Ish-deputeti dhe analisti politik, Ilir Deda, ka reaguar ndaj zhvillimeve politike rreth zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit duke theksuar se kërkimi i një marrëveshjeje politike nënkupton domosdoshmërisht një kandidat konsensual, të pranueshëm për të gjitha subjektet politike që do të votojnë.

“Nuk mund të kërkosh ndihmë për një marrëveshje politike dhe në të njëjtën kohë të imponosh kandidat. Askush nuk është i obliguar të nënshtrohet ndaj një diktati,” ka deklaruar Deda duke kritikuar qasjet që sipas tij mohojnë vlerën e dialogut dhe konsensusit.

Ai shtoi se marrëveshja politike nuk varet vetëm nga një palë, por nga të gjitha partitë pjesëmarrëse, dhe se askush nuk mund të diktojë zgjedhje të parakohshme nëse shumica politike nuk i mbështet ato.

Sipas Dedës, kjo situatë duhet të shërbejë si moment reflektimi për të kuptuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe për të ndërtuar një frymë të re të respektit ndaj rivalëve politikë.

“Ky do duhej të ishte momenti këndellës që të kuptohet vlera e bashkëpunimit, që do të thotë ridefinim i plotë i qasjes ndaj rivalëve politikë,” përfundoi ai. /Kosova.info/

Go to TOP