Syla thirrje deputetëve: Votoni kandidatin e Kurtit për kryetar Kuvendi, ndalni dramat politike!
Gazetari dhe diplomati Donat Syla ka reaguar me një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj deputetëve të partive politike duke kërkuar nga ta që të votojnë cilindo kandidat që nominohet nga Albin Kurti për postin e kryetarit të Kuvendit. Ai thekson se kjo është një fazë e pashmangshme për të hapur rrugën e rrjedhjes së afateve ligjore për formimin e qeverisë nga partia e parë fituese.
Syla nënvizon se beteja politike nuk bëhet për pozitat e kryetarit apo nënkryetarit të Kuvendit, por për funksione më të larta si presidenti, kryeministri apo ministrat. “Edhe nëse dëshironi të formoni qeveri si bllok opozitar, edhe nëse dëshironi të shkoni në zgjedhje të reja, ky hap është i pashmangshëm – pra votojeni kandidatin që propozon Kurti,” ka shkruar ai.
Ai kritikon qasjen e partive që, sipas tij, po shpresojnë që opinioni publik të lodhet me dramat politike, derisa ndonjëri prej tyre të afrohet me Lëvizjen Vetëvendosje. “Nëse kjo është strategjia juaj, vazhdoni kështu, por ta dini se në gjirin e Kurtit nuk ka vend për të gjithë ju,” ka përfunduar Syla me një mesazh ironik: “Me fat!”. /Kosova.info/
