Atlas Institute: Taksa prej 5 centë uli ndjeshëm importin e qeseve plastike – kërkohet ndalim i plotë i tyre
Instituti Atlas ka publikuar të dhëna që tregojnë një rënie të ndjeshme të importit të qeseve plastike në Kosovë pas vendosjes së çmimit prej 5 centë për njësi, në tetor të vitit 2023. Sipas raportit, importi i qeseve plastike ka rënë nga rreth 1 milion kilogramë në vitin 2021, në vetëm 250 mijë kilogramë në vitin 2024. Kjo përkthehet në një kursim prej afro 1 milion eurosh në vit dhe një ndikim të konsiderueshëm në uljen e ndotjes mjedisore.
“Ky rezultat është dëshmi se politikat fiskale mund të kenë efekt real në mbrojtjen e mjedisit dhe në reduktimin e konsumit të produkteve të dëmshme për ambientin,” thuhet në njoftimin e Atlas Institute.
Megjithatë, institucioni ka ngritur shqetësimin se Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës nuk ka publikuar ende të dhënat për prodhimin vendor të qeseve plastike, ndonëse kjo kërkohet me ligj deri më 31 mars të çdo viti. Mungesa e këtyre të dhënave e bën të pamundur një vlerësim të plotë të ndikimit të politikës në tregun e brendshëm.
Përfundimisht, Atlas Institute bën thirrje për ndalimin e plotë të qeseve plastike njëpërdorimshme, si hap i domosdoshëm drejt një mjedisi më të pastër dhe një ekonomie më të qëndrueshme. /Kosova.info/
