BQK zhvillon takime të nivelit të lartë në SHBA me përfaqësues të FMN-së, BB-së dhe institucioneve partnere financiare

Përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të udhëhequr nga Guvernatori Ahmet Ismaili, po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga data 21 deri më 26 prill, ku do të takohen me zyrtarë të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB).

Gjatë kësaj vizite, do të diskutohen zhvillimet më të fundit financiare dhe ekonomike në Kosovë, si dhe pritjet për të ardhmen. Guvernatori Ismaili do të prezantojë përparimet dhe prioritetet e sektorit financiar, rezultatet nga zbatimi i programeve dhe asistencave teknike profesionale, si dhe nevojat për mbështetje të mëtejshme teknike.

Në kuadër të vizitës, delegacioni i BQK-së do të zhvillojë mbi 20 takime bilaterale dhe multilaterale me drejtues të FMN-së, BB-së, Bankës Qendrore Evropiane, Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), si dhe me përfaqësues të bankave qendrore dhe institucioneve financiare partnere, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në fusha të përbashkëta interesi.

Gjithashtu, me ftesë të Bankës Botërore, më 28 dhe 29 prill Guvernatori Ismaili do të marrë pjesë në Forumin Ekzekutiv për Menaxhimin e Rezervave Ndërkombëtare në kuadër të programit RAMP, në të cilin BQK është anëtarësuar në fund të vitit 2023.

Kjo vizitë përfaqëson një mundësi të rëndësishme për Kosovën për të thelluar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të avancuar qëndrueshmërinë dhe integritetin e sektorit financiar në vend. /Kosova.info/

Go to TOP