Miftaraj kritikon ashpër qeverisjen Kurti: 700 milionë për rrymë, bordet me dhurata, shteti në masa ndëshkuese – tash po kërkon adrenalinë me zgjedhje të reja
Ehat Miftaraj nga KDI-ja ka reaguar ashpër ndaj qasjes së Kryeministrit Albin Kurti karshi situatës politike në vend duke kritikuar performancën qeverisëse gjatë katër viteve të tij në pushtet. Në një postim, Miftaraj shpreh habinë ndaj mungesës së vullnetit për të funksionalizuar Kuvendin dhe për të formuar një qeveri të re, ndërkohë që vendi përballet me pasiguri dhe tensione politike.
“700 milionë euro i ka shpenzuar për blerjen e rrymës, ka shpërndarë dhurata e pozita në borde, ambasada, ndërmarrje publike e ministri. Ka shtrenjtuar tri herë rrymën, ka dërguar mbi 200 mijë punëtorë në Gjermani, e ka legalizuar fukarallakun me 20 euro për fëmijë, e ka pranuar Asociacionin, por s’ka ditur të përfitojë nga pranimi në Këshillin e Evropës,” shkruan ai.
Miftaraj përmend edhe përfshirjen e këshilltarëve të Kurtit në biznese të energjisë, respektin për Oliver Ivanoviqin, dhe faktin që njohjet e reja për Kosovën janë arritur nga të tjerët. Ai shton se, pavarësisht këtyre zhvillimeve, Kurti duket se nuk po do ose nuk po di të ndërtojë një qeveri funksionale.
“Taksirati i 15 apo 20 milionë eurove të popullit për zgjedhje të reja, vetëm se Albinit i duhet pak adrenalinë,” përfundon Miftaraj duke e quajtur këtë luks që paguhet nga qytetarët, por pa asnjë ndjeshmëri nga ana e Kurtit dhe rrethit të tij politik. /Kosova.info/
