Arrestohen tre persona të dyshuar për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë gjatë viteve 1998-1999
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale – Departamenti për Krime Lufte, ka arrestuar sot tre persona të dyshuar për përfshirje në krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
Pas një hetimi të gjatë dhe të detajuar, më 21 prill 2025, janë ndërmarrë disa veprime operative në Lipjan dhe Prishtinë, që kanë rezultuar me arrestimin e të dyshuarve B.T. (mashkull), N.Č. (femër) dhe M.I. (mashkull). B.T. dhe N.Č. janë lokalizuar dhe arrestuar në dy lokacione të ndara në Lipjan, ndërsa M.I. është arrestuar në Prishtinë.
Sipas hetimeve, të dyshuarit, në cilësinë e gardianëve dhe zyrtarëve korrektues në burgun e Prishtinës dhe Qendrën Korrektuese të Lipjanit gjatë viteve 1998-1999, dyshohen se kanë kryer vepra të rënda penale duke marrë pjesë në maltretimin, rrahjen, torturimin fizik dhe psikik të të ndaluarve shqiptarë.
Aktualisht, të arrestuarit janë shoqëruar në zyrat e Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve të Luftës dhe janë duke u intervistuar nga hetuesit dhe prokurorët përkatës.
Policia e Kosovës thekson përkushtimin e saj të palëkundur për të çuar përpara drejtësinë dhe për të garantuar që autorët e krimeve të luftës të dalin para ligjit duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për ndriçimin e plotë të këtyre rasteve. /Kosova.info/
