Rukiqi: “Patriotët me bateria” rrezikojnë rendin demokratik dhe ekonominë vendore

Berat Rukiqi, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve për bojkotimin e produkteve të prodhuara në Kosovë duke i cilësuar si të dëmshme dhe të rrezikshme për stabilitetin ekonomik dhe rendin demokratik të vendit.

Në një postim publik, Rukiqi kritikoi ashpër ata që, siç tha ai, “blejnë rrymë prej Serbisë, koordinohen me terroristë, e sot bëjnë thirrje për bojkot të produkteve që mbajnë mirëqenien e mijëra familjeve në Kosovë”.

Ai e cilësoi gjuhën e përdorur nga këta individë si “gjuhë të patriotëve me bateria” duke theksuar se ajo është përçarëse, nxitëse të urrejtjes dhe një rrezik real për demokracinë në vend.

“Në një klimë të tillë të urrejtjea dhe përçarjes, askush nuk vjen, as për investime, e as për krijim të vendeve të punës,” theksoi Rukiqi duke ngritur alarmin për dëmin që mund t’i shkaktohet Kosovës nga retorika e tillë.

Ai përfundoi me një apel për maturi dhe mbështetje të prodhimit vendor, si rrugë e vetme drejt zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm dhe një shoqërie të bashkuar. /Kosova.info/


Go to TOP