LBK reagon ndaj sulmeve politike: Mbroni bizneset vendore, jo t’i diskreditoni – Devolli, shtyllë e ekonomisë kosovare
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me tendencat e vazhdueshme për diskreditimin e bizneseve vendore dhe afaristëve të suksesshëm përmes sulmeve publike dhe deklaratave politike, të cilat cenojnë jo vetëm reputacionin e tyre, por edhe stabilitetin ekonomik të vendit.
Reagimi i LBK-së vjen pas sulmeve të fundit që, sipas saj, janë të padrejta dhe të panevojshme ndaj afaristit Shkëlqim Devolli dhe Korporatës Devolli – një ndër kontribuuesit kryesorë në ekonominë e Kosovës, me mijëra vende të punës, qindra miliona euro të derdhura në buxhetin e shtetit përmes tatimeve dhe një ndikim të madh në ringjalljen e industrisë vendore.
“Korporata Devolli është dëshmi se Kosova ka kapacitete për të ndërtuar kompani që jo vetëm përmbushin standardet evropiane, por që konkurrojnë me sukses në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e LBK-së.
Sipas tyre, është për të ardhur keq që në vend të mbështetjes dhe bashkëpunimit institucional, një pjesë e spektrit politik ka zgjedhur gjuhën e sulmit ndaj atyre që kontribuojnë realisht në zhvillimin e vendit.
“Patriotizmi sot matet me vende pune, eksport dhe ndërtim të ekonomisë – jo me retorikë boshe kundër ndërmarrësve që kanë zgjedhur të qëndrojnë në Kosovë”, thekson më tej LBK.
Duke u bërë thirrje institucioneve që të ndalin sulmet ndaj sektorit privat dhe të ndërtojnë një qasje partnere ndaj bizneseve, LBK kërkon që politika të mos bëhet barrë për zhvillimin ekonomik.
Në fund, kjo organizatë i fton të gjithë qytetarët të konsumojnë produkte vendore, përfshirë ato të Korporatës Devolli, si mënyrë e vetme për të forcuar ekonominë dhe pavarësinë e Kosovës në tregun global. /Kosova.info/
