Betohen deputetët
Deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës janë betuar me ceremoninë e betimit pas votimit të raportit të mandateve.
Me 119 vota pro, ka kaluar në Kuvendin e Kosovës raporti për Verifikim e Kuorumit dhe Mandateve të Deputetëve, të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
“Konstatoj se 119 deputetë unanimisht kanë votuar raportin me votën për”, ka thënë Avni Dehari, kryesus i Kuvendit të Kosovës.
Para votimit, kryesuesi i Komisioni i Përkohshëm për Verifikim e Kuorumit dhe Mandateve të Deputetëve, Artan Abrashi, ka theksuar se komisioni ka konstatuar vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Në seancë konstitutive janë 120 deputetë, andaj Komisioni mbështetur në dokumentacionin e KQZ-së për certifikimin e zgjedhjeve, së bashku me listën përfundimtare të deputetëve i rekomandon seancës konstituive me vota unanime të anëtarëve të komisionit të përfaqësuar nga subjektet politike parlamentare, që t’i vazhdojë punimet sipas agjendës së paraparë me rregulloren e Kuvendit”, ka thënë kryesuesi i Komisioni i Përkohshëm për Verifikim e Kuorumit dhe Mandateve të Deputetëve, Artan Abrashi, gjatë prezantimit të raportit, pas mbledhjes së komisionit.
Teksti i deklaratës së betimit
“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit.
Betohem!”
