Abdixhiku përkujton Heroin Sali Çekaj në 26-vjetorin e rënies: Ra për të mos vdekur kurrë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar me nderim dhe respekt Heroin e Kosovës, Komandantin Sali Çekaj, në 26-vjetorin e rënies së tij në Betejën e lavdishme të Koshares.

Në një mesazh përkujtimor, Abdixhiku theksoi rolin jetik që Sali Çekaj pati në rrugën drejt lirisë duke e cilësuar atë si një figurë të jashtëzakonshme të rezistencës, dijes, veprimit politik dhe luftës së armatosur.

“Në prillin e një pranvere të dhimbshme të vitit 1999, në lartësitë e ashpra të Koshares, ra për të mos vdekur kurrë Komandant Sali Çekaj – VETERANI. Ai ra për lirinë e Kosovës. Atje ku u shkrua një nga faqet më të lavdishme të historisë sonë,” tha Abdixhiku.

Ai kujtoi se Çekaj, i përndjekur nga regjimi serb, kishte lënë sigurinë e mërgimit për të marrë armën në dorë, përkrah bashkëluftëtarëve të tij, në mbrojtje të atdheut. Ai ishte jo vetëm një ndër figurat kyçe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe një nga organizatorët e parë të rezistencës së armatosur që nga fillimi i viteve ’90, bashkë me heronj si Adem Jashari, Zahir Pajaziti e Ilaz Kodra.

Abdixhiku përmendi gjithashtu rolin e Çekajt në thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar në Koshare, akt ky që shënoi një kthesë të rëndësishme në luftën për çlirim, së bashku me bashkëluftëtarin Agim Ramadani.

Me këtë rast, ai kujtoi edhe vlerësimin më të lartë që Sali Çekaj mori nga Presidenti Historik, dr. Ibrahim Rugova – titullin “Hero i Kosovës”.

“Sot, me përulësi dhe krenari, kujtojmë jetën, veprën dhe sakrificën e tij për lirinë dhe pavarësinë e vendit,” përfundoi Abdixhiku duke nderuar përjetësisht veprën e Komandantit Sali Çekaj.

Lavdi jetës dhe veprës së tij! /Kosova.info/


Go to TOP