Reçica: Komuna po e shkel ligjin dhe po dëmton `Pastrimin`

Komuna e Prishtinës dhe kompania “Pastrimi” janë përfshirë në një përplasje lidhur me vendin ku qytetarët duhet të paguajnë faturat për mbeturinat. Kryeshefi i “Pastrimit”, Petrit Reçica, ka akuzuar Komunën për shkelje ligjore dhe qëllime dashakeqe ndaj ndërmarrjes.

Kompania “Pastrimi” këmbëngul se pagesat duhet të bëhen drejtpërdrejt tek ta, duke u bazuar në rregulloren komunale që, sipas tyre, është ende në fuqi. Petrit Reçica, kryeshef i kësaj kompanie, ka deklaruar se rregullorja është e qartë dhe se Komuna po bën shkelje ligjore.

“Ne po kërkojmë të respektohet rregullorja që është në fuqi, sepse rregullorja e thotë shumë qartë se ku duhet të paguhen tarifat e mbeturinave, madje kjo rregullore është një akt i nxjerrë nga vet Kuvendi Komunal,” ka deklaruar Reçica në “Info Plus” në RTK.

Ai theksoi se rregullorja jo vetëm që përcakton vendin e inkasimit, por e njeh “Pastrimin” si ndërmarrjen që mban edhe databazën e klientëve.

“Kjo rregullore përveç që e përcakton që ku do të bëhet faturimi dhe inkasimi, e përcakton edhe ndërmarrjen tonë si të vetmen e cila do ta mbajë edhe databazën e klientëve, dhe karshi kësaj çka përmban rregullorja dhe veprimeve që po i bën Komuna e Prishtinës, del që komuna është duke e bërë një shkelje të madhe ligjore, sa i përket thirrjeve të fundit që i ka karshi ‘Pastrimit’, dhe janë qëllime dashakeqe ndaj kompanisë tonë,” ka thënë ai.

Reçica ka sqaruar se “Pastrimi” është një ndërmarrje me vetëfinancim dhe nuk është e përfshirë në buxhetin e Komunës, gjë që, sipas tij, po e vë kompaninë në vështirësi financiare. Ai shtoi se një kërkesë e tillë nuk është bërë për asnjë ndërmarrje tjetër publike në Prishtinë.

“Neve po na i ngrisin dyshimet e mirëbazuar që krejt kjo po bëhet për të kriju një krizë financiare në ndërmarrjen tonë dhe t’i hapin rrugë negociatave me operatorë privat ose tenderave që i kanë në proces,” ka theksuar Reçica.

Nga ana tjetër, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përsëritur sot se pagesat duhet të bëhen në Komunë, siç përcaktohet në rregullore. Megjithatë, ai ka thënë se edhe nëse qytetarët i kryejnë pagesat në kompaninë “Pastrimi”, ato do të pranohen si të vlefshme.


Go to TOP