KRM ‘Pastrimi’ akuzon Komunën e Prishtinës për veprime të jashtëligjshme, kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” sh.a. ka ngritur shqetësime serioze ndaj Komunës së Prishtinës duke e akuzuar kryetarin Përparim Rama dhe zyrtarin Bekim Brestovci për veprime të njëanshme dhe të paligjshme që rrezikojnë funksionimin e ndërmarrjes dhe shërbimet ndaj qytetarëve.

Në një reagim publik, KRM “Pastrimi” thekson se qytetarët po informohen në mënyrë të pabazuar që pagesat për shërbimet e pastrimit duhet të bëhen në Komunë dhe jo në ndërmarrje, ndonëse kjo bie ndesh me Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, të miratuar nga vetë Kuvendi Komunal i Prishtinës.

Sipas ndërmarrjes, këto veprime jo vetëm që cenojnë rendin institucional, por vënë në rrezik të drejtpërdrejtë vazhdimësinë e shërbimeve publike dhe mbrojtjen e interesit të qytetarit. Ata paralajmërojnë se pas këtij veprimi fshihet një skenar për të penguar qëllimisht funksionimin e ndërmarrjes publike, për të favorizuar tenderime të jashtëligjshme me operatorë privatë, me vlerë mbi 20 milionë euro.

Për këtë arsye, KRM “Pastrimi” i bën thirrje Prokurorit të Shtetit dhe organeve hetimore që të ndërhyjnë urgjentisht për të ndalur këtë praktikë, si dhe për të garantuar rendin ligjor dhe funksionalitetin institucional.

Ndërmarrja siguron qytetarët se do të vazhdojë me përkushtim detyrën për ofrimin e shërbimeve dhe mbrojtjen e interesit publik duke u shprehur se ka nevojë për mbështetjen e qytetarëve në këtë situatë ku “Komuna ka humbur kontrollin dhe ka devijuar nga rruga ligjore”.

Në fund të reagimit, “Pastrimi” ka bashkëngjitur edhe Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, ku përcaktohet qartë se pagesat për shërbimet e pastrimit duhet të bëhen përmes ndërmarrjes publike. /Kosova.info/


Go to TOP