Havolli me “kombibusin e inxhinierëve” në terren: Asnjë zbritje, vetëm rritje të punës dhe investimeve në rrugë

Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, ka dalë sot në terren me ekipin e inxhinierëve të Drejtorisë së Infrastrukturës për të inspektuar nga afër punimet në rrugët e reja dhe për të identifikuar nevojat për ndërhyrje në rrugët ekzistuese.

I shoqëruar nga një kombibus pune, Havolli bashkë me ekipin vizitoi disa vendpunishte në kryeqytet, ku diskutuan progresin e punimeve dhe theksuan nevojën për rritje të dinamikës në zbatim.

Vizita përfshiu rrugën “Kastori” në lagjen Arbëria, urën në ndërtim në unazën e brendshme, si dhe rrugën afër hekurudhës në të njëjtën lagje. Në terren iu bashkuan edhe Kryetari Përparim Rama, Nënkryetari Shkëmb Manaj dhe Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci.

Ata identifikuan ndërhyrje të nevojshme në rrugët Bajram Bahtiri dhe Haxhi Zeka, si dhe rrugicat përreth tyre. Gjithashtu, u inspektuan punimet në rrugët Shkëlzen Haradinaj dhe Abedin Dino, si dhe rruga e re afër lagjes Velania.

Një pikë tjetër e diskutimit ishte edhe problemi i kanalizimit në rrugën B, për të cilin Havolli njoftoi se pritet projekti final brenda pak ditësh. Më tej, ata vizituan edhe segmentin e ri të kësaj rruge, ku punimet po zhvillohen me intensitet të lartë.

U diskutua edhe për lidhjen e rrugës B me rrugën A, si dhe për një investim të planifikuar prej afro 400 mijë eurosh për ndërtimin e rrugës Prekazi, për të cilën do të nisin së shpejti procedurat.

Në fund të vizitës, drejtori Havolli dhe inxhinierët ndaluan edhe në rrugën Muslim Mulliqi, e cila po rishtresohet me asfalt të ri dhe përfshin hapësira të reja parkimi.

“Kombibusi i inxhinierëve” do të vazhdojë inspektimet në ditët në vijim në të gjitha lagjet dhe fshatrat e Prishtinës. Sipas Havollit, “nuk ka zbritje në punë – vetëm rritje të investimeve e përkushtimit për Rrugën e Re”. /Kosova.info/


Go to TOP