Operacion i rrallë në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare: Bypass aorto-bifemoral i realizuar me sukses për herë të parë në Kosovë
Për herë të parë në Kosovë, në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, është kryer një operacion shumë i rrallë, Bypass aorto-bifemoral përdorur graft vaskular “Dacron”. Ky operacion është realizuar në një pacient 48-vjeçar që vuante nga mbyllja e aortës abdominale për shkak të sëmundjes aterosklerotike dhe kishte një anomali shumë të rrallë të venës kava inferiore të dyfishtë (duplicated inferior vena cava – DIVC), e cila paraqet vetëm 0.05% të rasteve.
Intervenimi, që ka zgjatur mbi 5 orë, është kryer nga një ekip mjekësor i udhëhequr nga Prof. Ass. Dr. Lulzim Vokrri, Dr. Hajriz Rudari, Dr. Ramë Gashani, Dr. Albion Haxhijaha, dhe Anesteziologu Dr. Flora Marashi. Pavarësisht vështirësive të natyrshme, për shkak të pozitës jo normale të enëve të gjakut dhe obezitetit të pacientit, ekipi ka arritur të realizojë bypass-in (urëzimin) midis aortës abdominale dhe dy arterieve femorale kryesore duke përdorur një graft vaskular sintetik Dacron në formë “Y”.
Ky operacion i komplikuar, që ka kërkuar një përgatitje të kujdesshme dhe një intervenim të gjatë kirurgjikal, ka përfunduar me sukses të plotë. Pas 10 ditësh hospitalizimi dhe ekzaminimeve kontrolluese, pacienti është lëshuar në gjendje shumë të mirë shëndetësore, treguar se ndërhyrja ka pasur një rezultat pozitiv.
Ky rast është një shembull tjetër i avancimeve të mëdha në kirurgjinë vaskulare në Kosovë dhe ndihmon për të forcuar kapacitetet mjekësore të vendit për të trajtuar raste të tilla të ndërlikuara. /Kosova.info/
