Muharremi: Ktheni paratë menjëherë! Qytetarëve t’u kthehet çdo cent i faturuar për veriun

Eksperti i çështjeve ekonomike, Shenoll Muharremi, ka kërkuar urgjentisht kthimin e dhjetëra milionë eurove që sipas tij janë marrë padrejtësisht nga qytetarët e Kosovës për të mbuluar faturat e energjisë elektrike të shpenzuar në veri të vendit.

Në një deklaratë për BIRN, Muharremi thekson se kjo çështje duhet të jetë temë kryesore në takimin e nesërm të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) duke kërkuar që të adresohen padrejtësitë dhe diskriminimi i bërë ndaj qytetarëve.

“ZRRE ka lejuar pabarazinë dhe diskriminimin ndaj qytetarëve. Tani ata duhet të sigurojnë që fondet e marra ilegalisht për të paguar energjinë e konsumuar në veri të kthehen,” ka deklaruar Muharremi.

Ai propozon që mënyra më e drejtë për kompensim është ulja e faturave mujore për konsumatorët në shumën që janë ngarkuar padrejtësisht më herët.

“Vetëm në këtë mënyrë autoriteti rregullator mund të sigurojë një qasje të barabartë ndaj qytetarëve dhe operatorëve të energjisë,” përfundon Muharremi.

Sipas tij, kthimi i mjeteve të mbledhura në mënyrë të padrejtë do të rikthente besimin te institucionet dhe do të përforconte ndjeshëm barazinë dhe transparencën në sektorin e energjisë në vend. /Kosova.info/

Go to TOP