Abdixhiku nga Kosharja: Gëzuar kjo ditë e lavdisë, ku liria u pagua me përjetësi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka qëndruar sot në Koshare, në 25-vjetorin e fillimit të Betejës së lavdishme, ku u takua me familjarët e 114 martirëve e heronjve të rënë për liri. Ai përkujtoi me nderim dhe krenari sakrificën sublime të atyre që ranë për atdhe, duke theksuar se përjetësia në altarin e lirisë është bekim i madh.

“Gëzuar kjo ditë,” tha Abdixhiku, duke cituar fjalët prekëse të prindërve të dëshmorëve — nënën e 17-vjeçarit të rënë, prindërit e dy vëllezërve të përjetësuar në Koshare dhe familjarët e tre luftëtarëve të huaj nga Algjeria, Franca dhe Italia që luftuan përkrah UÇK-së.

Gjatë mëngjesit, ai kaloi kohë me familjarët e dëshmorëve, nën shoqërimin e bashkëluftëtarëve dhe heronjve të gjallë si Agimi, Saliu, Xhemajli e Abazi. Abdixhiku kujtoi mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999, ditën kur “nisën të thyenin kufijtë mes shqiptarëve”, duke e cilësuar këtë ditë si ndër më madhështoret në historinë e kombit.

“Lavdi gjithë të rënëve!”, përfundoi Abdixhiku mes përulësie dhe krenarie kombëtare. /Kosova.info/

Go to TOP