Austria mbyll kufijtë me Hungarinë dhe Sllovakinë nga e shtuna për shkak të përhapjes së sëmundjes Afta Epizootike

Gazetari Bahri Cani nga Deutsche Welle (DW) ka njoftuar se Austria do të ndërmarrë masa drastike duke mbyllur 24 pika kufitare me Hungarinë dhe Sllovakinë, për shkak të frikës nga përhapja e sëmundjes Afta Epizootike (FMD), e cila tashmë është konfirmuar në këto dy vende.

Duke filluar nga dita e shtunë, kalimi në shumicën e pikave kufitare do të ndalohet, ndërsa vetëm disa prej tyre do të mbeten të hapura, por me kontrolle të rrepta. Këto masa mbrojtëse do të jenë në fuqi deri më 20 maj.

Austria po ashtu do të ndalojë përkohësisht importin e kafshëve dhe produkteve shtazore nga Hungaria dhe Sllovakia, përfshirë bagëtinë, derrat, mishin e freskët, qumështin e papërpunuar dhe mishin e gjahut.

Autoritetet austriake kanë theksuar se këto masa janë të domosdoshme për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dhe për të mbrojtur sektorin bujqësor dhe shëndetin e kafshëve brenda vendit. Udhëtarët dhe transportuesit që planifikojnë të kalojnë këta kufij janë të këshilluar të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të informohen paraprakisht. /Kosova.info/


Go to TOP