Murati kritikon publikimin e kërkesës së presidentes për pezullimin e tarifave: Qeveria e ka shqyrtuar tashmë këtë çështje
Ministri i Financave, Hekuran Murati, reagoi sot pas kërkesës së Presidentes për pezullimin e tarifave ndaj produkteve me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kërkesa, e dërguar në email në orën 17:39, u bë publike vetëm pesë minuta më pas në rrjetin social X. Murati theksoi se çështjet e tilla duhet të trajtohen larg mediave dhe publiku të njoftohet vetëm pas marrjes së një vendimi përfundimtar.
Ai kujtoi se gjatë vizitës së tij në Washington DC në prill 2023, kishte diskutuar për mundësinë e një marrëveshjeje për tregti të lirë me SHBA-të, një temë që ka qenë gjithashtu në agjendën e takimeve të Kryeministrit Albin Kurti me ish-ambasadorin amerikan Hovenier.
Murati theksoi gatishmërinë e Kosovës për një marrëveshje të tillë, që do të mundësonte tregti pa barriera tarifore dhe jo-tarifore.
Në lidhje me tarifat aktuale, ai njoftoi se Kosova është përfshirë në grupin e shteteve që kanë shkallën tarifore minimale prej 10%. Megjithatë, ndikimi financiar i këtyre tarifave është i vogël për shkak të vëllimit të ulët tregtar të Kosovës me SHBA-të. Murati shprehu angazhimin e Qeverisë për rritjen e këmbimit tregtar dhe përkrahjen e parimit të Presidentit Trump për tregti të lirë dhe pa barriera. Ai siguroi qytetarët se tema është duke u shqyrtuar dhe vendimi përfundimtar do të shpallet në kohë. /Kosova.info/
